I mbijetuari i aksidentit tragjik në Rumani: Jam në gjendje të mirë, pritet të kthehemi nesër

img 1086

Një nga të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Rumani, ku humbën jetën 7 persona, ka folur për herë të parë lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe momentet pas ngjarjes.

I plagosuri u shpreh se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht se ka pësuar disa fraktura dhe thyerje. Ai bëri të ditur se edhe dy të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën, gjë që i është konfirmuar nga mjekët.

“Jam vetëm në një dhomë, nuk di rumanisht dhe nuk e flas mirë anglishten. Rastësisht dëgjova zërat e tyre ndërsa po kaloja me karrocë për të bërë një rezonancë magnetike. Të paktën e di që janë gjallë,” u shpreh ai.

Sipas tij, dy të plagosurit e tjerë kanë kaluar një natë të mirë dhe gjendja e tyre shëndetësore është stabile. “Sot pyeta mjekët se si janë miqtë e mi dhe më thanë gjëra të mira. Është shumë e mundur që të gjithë të nisemi nesër me aeroplan,” tha ai.

Duke folur për aksidentin, i mbijetuari theksoi se mban mend çdo moment të udhëtimit, por nuk është i sigurt për arsyen se pse furgoni me të cilin udhëtonin përfundoi në korsinë e kundërt, duke u përplasur fatalisht me një kamion.

Autoritetet rumune vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.

img 1086

About The Author