Aksident tragjik në Gramsh/ Humb jetën infermierja Dëshira Hoxha, shpëtohen mësuesja dhe shoferi pas orësh përpjekjesh

img 1065

Një aksident i rëndë rrugor i regjistruar pasditen e së hënës në aksin Kabash–Poroçan, pranë fshatit Bardhan, i ka marrë jetën infermieres Dëshira Hoxha dhe ka lënë të plagosur rëndë dy persona të tjerë.

Një kamion me tonazh të lartë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, në një zonë me terren të thepisur pyjor, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.

Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit ka reaguar përmes një deklarate emocionale, ku përshkruan operacionin e vështirë të shpëtimit si një nga më të dhimbshmit dhe më sfiduesit ndër vite.

Sipas tyre, brenda mjetit ndodheshin shoferi, një mësuese dhe një infermiere. Fillimisht është nxjerrë nga kabina mësuesja Albana Boja, e cila është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh intensive, duke prerë pjesë të kabinës së deformuar, është nxjerrë edhe shoferi i mjetit.

Operacioni ka vijuar me kërkimin e infermieres, e cila kishte mbetur e bllokuar në një pozicion tepër të vështirë nën kamion. Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, ajo u gjet pa shenja jete.

“Një humbje që na preku të gjithëve”, thuhet në reagimin e Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit.

Infermierja e ndjerë, Dëshira Hoxha, njihej gjerësisht në zonë për përkushtimin dhe humanizmin e saj, veçanërisht për shërbimin ndaj banorëve të zonave të thella malore. Ajo po kthehej nga detyra në momentin e aksidentit fatal.

Ndërkohë, mësuesja dhe shoferi ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, në gjendje kritike për jetën.

img 1065

About The Author