Tragjedi në Greqi: Katër të vdekur nga zjarri në një fabrikë ushqimore në Trikala, një punëtore ende e zhdukur

img 1049

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë në orët e para të mëngjesit të së hënës (26 janar), pasi një shpërthim i fuqishëm ka përfshirë një fabrikë ushqimore në zonën e Trikalës, duke shkaktuar një zjarr masiv me pasoja tragjike.

Sipas autoriteteve greke, nga zjarri kanë humbur jetën katër persona, ndërsa një punëtore rezulton ende e zhdukur. Fillimisht u raportua për pesë punëtorë të zhdukur, por më vonë u konfirmua se tre prej tyre janë gjetur të pajetë në bodrumin e fabrikës. Pak orë më vonë, ekipet e shpëtimit gjetën edhe trupin e pajetë të një gruaje të katërt.

Kërkimet vijojnë intensivisht për gjetjen e punëtores tjetër, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë skenar lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Nga shpërthimi dhe zjarri kanë mbetur të plagosur tetë persona, ndërsa 12 punëtorë janë transportuar në Spitalin e Trikalës për kontrolle mjekësore, si masë paraprake. Disa prej tyre kanë pësuar probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit të dendur.

Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke e shkatërruar fabrikën pothuajse plotësisht. Shkaqet e shpërthimit janë ende të paqarta dhe pritet që ekspertët zjarrfikës të kryejnë hetime të detajuara për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Autoritetet lokale kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa është hapur një hetim zyrtar për sigurinë në ambientet e punës dhe respektimin e protokolleve teknike në fabrikë.

img 1049

About The Author