Vrau nënën në Restelicë, i dyshuari kishte histori dhune në familje dhe çrregullime mendore

img 0956

Një ngjarje e rëndë ka tronditur orët e para të mëngjesit fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e dhunës fizike brenda banesës së saj.

Sipas informacioneve zyrtare, viktima është identifikuar si Tenzilja Boza, ndërsa i dyshuari kryesor për rastin është djali i saj, Ferzidin Boza.

Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se i dyshuari F.B. dyshohet se e ka privuar nga jeta nënën e tij duke ushtruar dhunë fizike. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë së Kosovës, krim-teknika si dhe zyrtarë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me qëllim të përcaktimit të shkaqeve të sakta të vdekjes dhe dokumentimit të provave materiale.

Sipas të dhënave të prokurorisë, i dyshuari ka pasur çrregullime mendore dhe ka qenë i përfshirë edhe më herët në tri raste penale të dhunës në familje. Një rast është regjistruar gjatë vitit 2024, ndërsa dy raste të tjera në vitin 2021, për të cilat janë ngritur aktakuza dhe janë shqiptuar vendime dënuese.

Hetimet për këtë ngjarje tragjike janë në vazhdim, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore që lidhen me rastin.

img 0956

About The Author