Skandal në QSUT: Reanimacioni pa energji, pacientët nxirren në korridore në mes të natës

screenshot

Screenshot

Një situatë e rëndë dhe alarmante është raportuar mbrëmjen e sotme në Reanimacionin Qendror të QSUT-së, ku mungesa e energjisë elektrike ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e pacientëve në gjendje kritike.

Sipas denoncimeve të mbërritura nga qytetarë dhe familjarë të të shtruarve, ndërprerja e energjisë ka shkaktuar kaos dhe pasiguri totale brenda repartit më jetik të spitalit më të madh në vend, duke paralizuar punën e stafit mjekësor dhe duke krijuar panik mes të afërmve.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se, për shkak të dështimit të sistemit elektrik dhe mosfunksionimit të gjeneratorëve të emergjencës, pacientët janë nxjerrë me urgjencë nga dhomat e reanimacionit dhe janë transferuar nëpër korridoret e spitalit, në kushte aspak të përshtatshme për trajtimin e tyre.

Një qytetar që ndodhej në QSUT ka denoncuar situatën duke u shprehur:

“Situata doli jashtë kontrollit. Ka ikur korrenti dhe pacientët po i nxjerrin nga reanimacioni nëpër korridore. Nuk dihet se çfarë po bëhet, jemi në ankth të plotë sepse dritat nuk po vijnë.”

Një tjetër denoncim drejtuar mediave shprehet:

“Rast emergjent, ju lutem postojeni që ta shohë Kryeministri. Në spitalin ‘Nënë Tereza’ nuk ka drita, njerëzit janë në reanimacion. Edhe sallat janë pa energji. U hapën dyert dhe brenda ishte errësirë totale. Këtu të vdesin me zor.”

Ngjarja ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e gjeneratorëve rezervë dhe sistemit të emergjencës, në një repart ku çdo sekondë pa energji elektrike mund të jetë fatale, pasi pacientët janë të lidhur me aparatura jetike.

Si është e mundur që Reanimacioni Qendror – zemra e emergjencave spitalore në Shqipëri – të mbetet pa energji dhe pacientët në gjendje kritike të përfundojnë në korridore, në vend që të trajtohen në kushte optimale dhe të sigurta?

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, drejtoria e QSUT-së nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar lidhur me shkaqet e këtij defekti teknik apo masat e marra për rikthimin e normalitetit dhe garantimin e sigurisë së pacientëve.

screenshot

About The Author