I dënuari shqiptar vritet me thikë brenda burgut të sigurisë së lartë në Greqi

img 0876

Një incident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë të Korydallos, në Greqi. Një i burgosur me origjinë shqiptare është vrarë me thikë nga një tjetër i dënuar.

Sipas informacioneve të para, viktima është identifikuar si Jani Aliaj. Mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur në krahun e tretë të burgut, në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht.

Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë i improvizuar, i përdorur gjatë sulmit nga një i burgosur me kombësi greke.

Jani Aliaj ishte i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Fiços, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, për motive hakmarrjeje.

Burime zyrtare bëjnë me dije se si viktima ashtu edhe autori ishin të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje, çka e bën këtë ngjarje një përplasje mes dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Deri më tani nuk dihet nëse shkak i incidentit ka qenë një konflikt i mëparshëm, hakmarrja apo kushtet e vështira të paraburgimit.

Ndërkohë, sipas mediave greke, autori i dyshuar i vrasjes ishte dënuar më parë për vrasjen e një shtetasi shqiptar në rrugë, në zonën e Agios Panteleimonas, verën e kaluar. Ai dyshohet të jetë personi që vrau 47-vjeçarin shqiptar Artur Bashimi.

27-vjeçari, i njohur si përdorues droge, kishte deklaruar pas arrestimit se kishte marrë përsipër ekzekutimin e shqiptarit kundrejt shumës prej 15 mijë eurosh. Sot, ai dyshohet se i ka marrë jetën një tjetër shtetasi shqiptar, këtë herë brenda ambienteve të burgut.

img 0876

About The Author