Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë, të paktën 39 viktima
Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur fatalisht, duke shkaktuar deri tani të paktën 39 viktima dhe dhjetëra të lënduar. Ngjarja ndodhi në një linjë që, sipas Ministrit spanjoll të Transportit, Óscar Puente, ishte modernizuar së fundmi.
Në vendngjarje ndodhen një numër i madh forcash shpëtimi, zjarrfikësish dhe ekipesh mjekësore, të cilët po punojnë në kushte të vështira për të nxjerrë pasagjerët e bllokuar nën rrënoja. Autoritetet bëjnë të ditur se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Pamjet e transmetuara nga mediat dhe të regjistruara me telefona celularë tregojnë përmasa dramatike të katastrofës. Vagonë të përmbysur, dritare të thyera dhe pasagjerë që përpiqen të dalin me duar nga brenda trenit. Frika dhe paniku janë të dukshme në fytyrat e të mbijetuarve.
“Papritmas gjithçka u errësua. Isha ulur në fund të vagonit, gjithçka po rrotullohej. Nuk dija ku isha, njerëzit bërtisnin dhe valixhet po binin mbi ne”, ka rrëfyer një grua e re për televizionin spanjoll.
Spanja krenohet me rrjetin më të madh hekurudhor me shpejtësi të lartë në Evropë, me rreth 4,000 kilometra linja. Trenat e shpejtësisë së lartë konsiderohen ndër më të sigurtit dhe më komodët në kontinent. Vetëm vitin e kaluar, rreth 40 milionë pasagjerë përdorën këtë shërbim.
Autoritetet kanë nisur një hetim urgjent për të zbardhur shkaqet e tragjedisë, ndërsa vendi është zhytur në zi për humbjen e jetëve njerëzore.
