Zbulohet “fabrika e mashtrimit” me kripto në Tiranë: SPAK arreston 8 persona, sekuestrohet Ferrari i organizatorëve
Një rrjet i mirëorganizuar mashtrimi online që operonte nga dy call center në zemër të Tiranës është goditur nga SPAK, pas një investigimi të emisionit italian “Le Iene”.
Grupi mashtronte qytetarë europianë duke i bindur të investonin në kriptomonedha përmes platformave false, ndërsa paratë përfundonin në portofole virtuale të kontrolluara nga organizatorët.
Gazetarët italianë arritën të infiltronin një person në call center-in që ndodhej në “Atti Tower”, ku punonjësit telefononin në italisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Pas kallëzimit, BKH nisi hetimet dhe zbuloi një strukturë me masa të forta sigurie dhe persona vëzhgimi.
Kur autorët u paralajmëruan për ndërhyrjen e policisë, ata zhvendosën pajisjet gjatë natës drejt një godine tjetër – “Downtown One”. Aty u kapën në flagrancë disa persona, teksa po ngrinin një qendër të re mashtrimi.
Arrestime dhe sekuestrime
- 6 persona u arrestuan në flagrancë
- 2 të tjerë u ndaluan me urdhër të prokurorisë
- 3 persona janë në kërkim
Policia sekuestroi qindra pajisje kompjuterike, serverë, dokumente, automjete, motomjete dhe një Ferrari luksoz, që dyshohet se i përket organizatorëve.
SPAK njoftoi se hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjitha viktimave në bashkëpunim me autoritetet e huaja dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj ofertave për investime online, si dhe punonjësve të call center-ëve të mos përfshihen në veprimtari të paligjshme.
