Aktiviteti online nën regjim tatimor: detyrime të reja për influencerët dhe blogerët

img 0808

Ndryshimet e fundit ligjore, të publikuara në Fletoren Zyrtare si pjesë e paketës fiskale, sqarojnë për herë të parë në mënyrë të detajuar trajtimin e aktivitetit ekonomik në internet.

Sipas ligjit të ri, çdo person që gjeneron të ardhura online – nga blogerët dhe krijuesit e përmbajtjes, deri te influencerët – konsiderohet subjekt tregtar dhe ka detyrimin të publikojë në faqen apo profilin e tij të dhënat bazë të biznesit. Këto përfshijnë NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe kontaktet zyrtare.

Administrata Tatimore do t’i identifikojë këta individë kryesisht përmes të ardhurave të depozituara në llogaritë bankare, si dhe nëpërmjet monitorimit të aktivitetit në rrjetet sociale dhe platformat digjitale.

Sipas ndryshimeve në ligjin “Për procedurat tatimore”, pas marrjes së një njoftimi zyrtar nga administrata, influencerët dhe personat publikë do të jenë të detyruar të formalizojnë aktivitetin e tyre online dhe të publikojnë informacionin e kërkuar.

Ligji parashikon edhe ashpërsim të masave ndëshkuese në rast moszbatimi. Nëse brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit nuk publikohet informacioni i detyrueshëm, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) mund të bllokojë llogarinë e influencerit në rrjetet sociale, si dhe të vendosë gjobë administrative.

Sipas autoriteteve, nevoja për këto ndryshime u diktua nga rezultatet e monitorimeve të Administratës Tatimore.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm nga kontrollet vjetore janë identifikuar rreth 100 profile në rrjete sociale, të cilat gjatë vitit 2025 kanë gjeneruar mbi 33 milionë euro të ardhura, të depozituara në llogari bankare individuale.

Ekspertët vlerësojnë se këto shifra pasqyrojnë rritjen e shpejtë të ekonomisë online në Shqipëri, por njëkohësisht edhe nivele të larta informaliteti, të cilat tashmë synohet të përfshihen në sistemin tatimor.

img 0808

About The Author