Trento: Gjendet e pajetë pas disa ditëve 35-vjeçarja shqiptare Floresha Prengu, nënë e dy fëmijëve
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Floresha Prengu, 35 vjeçe, banore e Trentos dhe nënë e dy vajzave, është gjetur e vdekur rreth 40 kilometra larg banesës së saj, përgjatë lumit Adige.
Trupi i saj u identifikua këtë të enjte nga familjarët, të cilët kishin shpresuar deri në momentet e fundit për një përfundim tjetër të kërkimeve.
Floresha, me origjinë shqiptare, ishte parë për herë të fundit më 22 tetor në qendër të qytetit të Trentos. Menjëherë pas zhdukjes, familja njoftoi policinë dhe bëri thirrje publike për ndihmë në gjetjen e saj.
Operacioni i kërkimit u shtri në disa ditë dhe u zhvillua në shkallë të gjerë, me përfshirjen e patrullave lumore, zjarrfikësve vullnetarë përgjatë brigjeve të Adiges, si dhe helikopterëve për kontroll nga ajri. Pavarësisht përpjekjeve intensive, deri së fundmi nuk kishte asnjë rezultat konkret.
Sipas mediave italiane, përfshirë Corriere, autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vdekjes, ndërsa pritet raporti mjeko-ligjor.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët dhe të afërmit, si dhe te komuniteti shqiptar në Itali, i cili ka shprehur ngushëllime për humbjen e parakohshme të 35-vjeçares.
