Sulm i përgjakshëm në Australi gjatë festës së Hanukës: Viktimat nga vajza 10-vjeçare tek i mbijetuari i Holokaustit
Autoritetet australiane kanë identifikuar disa nga viktimat e sulmit me armë zjarri të ndodhur në plazhin Bondi, ku të paktën 15 persona humbën jetën gjatë një aktiviteti për festën e Hanukës. Mes viktimave ka fëmijë, rabinë, një i mbijetuar i Holokaustit dhe figura të njohura të komunitetit hebraik në Australi.
Sipas burimeve zyrtare, identifikimi i plotë i viktimave vijon, ndërsa hetimet për rrethanat e sulmit janë në proces.
Viktimat e identifikuara deri tani:
- Matilda (10 vjeçe) – U identifikua nga familja e saj. Ishte nxënëse në Harmony Russian School of Sydney dhe përshkruhej nga mësuesit si një fëmijë e gëzuar dhe plot jetë. Motra e saj ndodhej pranë saj në momentin e sulmit.
- Rabbi Eli Schlanger (41) – I njohur si “Rabini i Bondit”, ishte një nga organizatorët kryesorë të aktivitetit. Drejtues i misionit lokal Chabad, baba i pesë fëmijëve, më i vogli vetëm dy muajsh.
- Dan Elkayam – Shtetas francez, analist IT në NBCUniversal, i zhvendosur në Australi vitin e kaluar. Ishte gjithashtu futbollist aktiv në një klub lokal në Sydney.
- Alexander Kleytman – I mbijetuar i Holokaustit me origjinë nga Ukraina. Sipas komunitetit Chabad, humbi jetën duke mbrojtur bashkëshorten e tij nga plumbat. La pas dy fëmijë dhe 11 nipër e mbesa.
- Peter Meagher – Ish-oficer policie në NSW me rreth katër dekada shërbim. Në momentin e sulmit po punonte si fotograf i pavarur në aktivitet.
- Reuven Morrison – Biznesmen dhe filantrop, i ardhur në Australi nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitet ’70. I njohur për mbështetjen e komunitetit hebraik dhe organizatës Chabad.
- Rabbi Yaakov Levitan – Koordinator i njohur i aktiviteteve të Chabad në Sydney, sekretar i Sydney Beth Din dhe punonjës në BINA Center.
- Tibor Weitzen (78) – Anëtar i dashur i sinagogës Chabad në Bondi. U vra teksa përpiqej të mbronte një mik të familjes. Kishte emigruar në Australi nga Izraeli në vitin 1988.
Komuniteti hebraik në Australi ka shprehur dhimbje dhe solidaritet me familjet e viktimave, ndërsa autoritetet kanë premtuar transparencë dhe masa të shtuara sigurie.
