Rama: Pezullimi i Ballukut, vendim antidemokratik – Venecia dhe Strasburgu e ndalojnë ndërhyrjen e gjykatave në ekzekutiv
Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij të sotëm, reagoi sërish ndaj pezullimit nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës së Posaçme si “krejtësisht antidemokratik” dhe në kundërshtim me standardet europiane.
Rama tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 2 dhjetor do të shqyrtojë padinë e qeverisë kundër vendimit të GJKKO-së, për atë që ekzekutivi e quan “konflikt kompetencash”. Sipas kryeministrit, çështja është “rrugë e pashkelur në të gjithë botën”.
Ai citoi gjerësisht qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke argumentuar se pezullimi i anëtarëve të qeverisë nga gjykatat cenon ndarjen e pushteteve dhe krijon terren për “judicial overreach”.
“Gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarët e qeverisë. Kjo cenon balancën e pushteteve dhe konsiderohet shkelje e palejueshme e ndarjes së pushteteve”, tha Rama, duke shtuar se masat e sigurisë sipas Venecias “janë për nëpunësit, jo për anëtarët e qeverisë”.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se vendimi i GJKKO-së përbën “presion de facto” dhe paralizon funksionimin e një sektori të tërë qeveritar.
“Nuk pezullohet vetëm një individ. Paralizohet një ministri e tërë. Kjo është një aventurë antidemokratike”, shtoi ai.
Rama tha se Strasburgu nuk është përballur kurrë me një rast të ngjashëm dhe nuk ka dhënë vendime specifike për pezullimin e ministrave, duke theksuar se në asnjë shtet europian “nuk ka ndodhur një situatë e tillë”.
“Çdo masë që cenon funksionimin e institucioneve të zgjedhura duhet të justifikohet me standardin më të lartë demokratik”, theksoi ai.
Kryeministri e mbylli deklaratën duke ritheksuar se sipas standardeve europiane, gjyqësori “nuk mund të pezullojë ministra”, pasi kjo është “antikueshtetuese në përmbajtje dhe cenon pavarësinë e ekzekutivit”.
Konteksti i çështjes Balluku
Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor për akuzën “shkelje të barazisë në tendera”, në lidhje me projektin e tunelit të Llogarasë. Më 20 nëntor, gjyqtari i GJKKO-së, Erjon Çela, urdhëroi pezullimin e saj nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, si pjesë e hetimeve për procedurat e tenderit të Unazës së Madhe. Masa u verifikua më 22 nëntor.
Më 2 dhjetor, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të shqyrtojë padinë e qeverisë për kompetencat mes ekzekutivit dhe GJKKO-së, ndërsa Rama e ka cilësuar vendimin si “arbitrar” dhe “cenim të ekzekutivit”, duke rikujtuar edhe fjalimin e prokurorit amerikan Robert H. Jackson: “Drejtësia vdes kur një pushtet hyn në territorin e tjetrit”.
