Një rrëshqitje masive dheu dhe shkëmbinjsh është regjistruar në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, në afërsi të tuneleve, duke e bërë të pakalueshëm segmentin kryesor. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar shkëputjen e gurëve dhe dherave nga shpatet anësore.
Për shkak të situatës, kompania kontraktore e mirëmbajtjes ka aktivizuar bypass-in provizor për të mundësuar kalimin e mjeteve dhe shmangien e bllokimit të qarkullimit.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore të zonës, u hap vetëm pak muaj më parë, në shtator të këtij viti. Aktualisht pritet ndërhyrja e mjeteve të posaçme për pastrimin e aksit dhe rikthimin e lëvizjes normale.















