Artan Fuga shpallet “Autori më i mirë i vitit” në Panairin e 28-të të Librit
Akademiku dhe studiuesi Artan Fuga është vlerësuar me çmimin “Autori më i mirë i vitit” nga juria e Panairit të 28-të të Librit, për romanin e tij më të fundit “Ndëshkimi i Dytë i Evës”. Vepra u cilësua nga juria si një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku gërshetohen miti i krijimit, dramat familjare e urbane dhe sfidat teknologjike të kohëve moderne.
Duke ndërthurur dimensionin filozofik dhe psikosocial, Fuga analizon transformimet e shoqërisë shqiptare gjatë tre dekadave të fundit. “As më kishte shkuar ndonjëherë në mendje që një roman do të më merrte vite më shumë se çdo libër tjetër studimor. Për mua, personazhet, qofshin pushtetarë, burokratë apo njerëz të zakonshëm, të gjithë jemi bashkë në një fajësi universale”, u shpreh autori gjatë ceremonisë.
Juria, e kryesuar nga Elsa Skënderi, ndau edhe një sërë çmimesh të tjera. Virgjil Muçi u shpall “Përkthyesi më i mirë i vitit” për përkthimin e veprës “Xhejmsi” të Percival Everett, fitues i Çmimit Pulitzer 2025. Sipas jurisë, Muçi spikat për njohuritë e thella gjuhësore dhe talentin e tij letrar.
Në kategorinë e veprës studimore, çmimi iu dha studiuesit Albi Xhiku për librin “Faqeve të historiografisë shqiptare”. Ndërkohë, këtë vit u rikthye çmimi për letërsinë për fëmijë, i munguar në edicionin e kaluar. Fituesja ishte Valbona Banka për romanin “Aria, në dorën time”, i vlerësuar për rrëfimin e këndshëm dhe elementet identitare të gjuhës e kulturës shqiptare.
Çmimi për përkthimin nga frëngjishtja iu akordua Urim Nergutit, për sjelljen në shqip të romanit “Hyrija” të autorit Kamel Daoud.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, tashmë një traditë e konsoliduar e Panairit të Librit, mbylli edhe këtë edicion me emrat më të spikatur të botës letrare dhe studimore shqiptare.
