Rama përplaset me deputetin në mes të Romës: “Na keni kthyer një vit mbrapa!”
Kryeministri Edi Rama ndodhet në kryeqytetin italian për një mbledhje të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni, ku pritet të firmosen 16 marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.
Por përpara takimit zyrtar, Rama është filmuar në rrugët e Romës duke debatuar me tone të ashpra me një prej deputetëve të tij nga Tirana.
Në videon e publikuar nga qytetarë që ndodheshin aty pranë, kreu i qeverisë shqiptare dëgjohet t’i drejtohet deputetit me tone kritike, duke i kujtuar përgjegjësitë që ka si bashkëkryetar dhe duke shprehur pakënaqësi për punën e tij në terren.
“Lëre grupin, po flas me ty. A je ti bashkëkryetar apo çfarë je? Ti çfarë bën, për çfarë je? Të krijojnë pengesa? Çfarë po bëni aty, na keni kthyer një vit mbrapa!”, – dëgjohet Rama në video.
Ndërkohë, më vonë gjatë ditës, pritet që Rama dhe Meloni të kryesojnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ku do të firmosen disa marrëveshje strategjike që përfshijnë fusha si ekonomia, energjia, arsimi dhe siguria.
