Atentat mafioz pranë aeroportit të Rinasit, ekzekutohet Gilmando Dani – krahu i djathtë i Emiljano Shullazit
Tiranë – Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit, ku sipas burimeve paraprake ka ndodhur një atentat me motive kriminale.
Ngjarja ka ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku është qëlluar me breshëri plumbash drejt një automjeti të bardhë luksoz, në të cilin ndodheshin dy persona. Si pasojë e të shtënave, një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur.
Burime për mediat bëjnë me dije se viktima është Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Ai po udhëtonte me një automjet tip Benz kur autorët, që lëviznin me dy makina, i zunë pritë dhe qëlluan në drejtim të tij me breshëri automatiku.
Pas atentatit, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë Krujës. Një nga makinat e përdorura në ngjarje mësohet të jetë Toyota me targa greke.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë krehjen e perimetrit për gjetjen e autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e plotë të tyre dhe për zbardhjen e motiveve të atentatit.
Ngjarja ka shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin në afërsi të aeroportit, ndërsa trafiku në zonë është bllokuar për disa minuta.
Policia ka ngritur disa pika kontrolli në rrugët që lidhin Rinasin me Fushë Krujën dhe Thumanën, ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë për të ndjekur lëvizjen e autorëve pas ngjarjes.
