Trafik droge brenda kishës, arrestohen tre priftërinj në Greqi
Tre priftërinj janë arrestuar në Greqi nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, pasi dyshohet se kishin bashkëpunuar me dy shtetas shqiptarë, një burrë dhe një grua, të cilët dyshohet se drejtonin grupin kriminal.
Sipas hetimeve të Agjencisë Kundër Drogës, lëndët narkotike fshiheshin brenda një kishe në rrugën Liosion dhe në oborrin e një kishe tjetër. Njëri prej priftërinjve, 46 vjeç, akuzohet se ruante dhe shiste drogë brenda kishës, ndërsa dilte herë pas here në rrugë i veshur me petkat e tij fetare për t’ua shitur klientëve.
Prifti i dytë, 40-vjeçar, u kap në ishullin Rodos me një valixhe që përmbante 2.2 kilogramë kokainë, të cilën më pas ia dorëzoi një shqiptari 38-vjeçar.
Ndërkohë, prifti i tretë, 25 vjeç, ndodhet në paraburgim që prej 6 shtatorit, i akuzuar për transport të paligjshëm të migrantëve.
Gjatë operacionit policor, autoritetet greke sekuestruan 2.2 kilogramë kokainë, 9 kilogramë marijuanë, 4 automjete, 4,400 euro në para cash dhe 25 mijë lekë shqiptare.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
