Prindërit shqiptarë po përdorin ChatGPT për receta mjekësore për fëmijët – mjekët japin alarmin
Një fenomen shqetësues po përhapet mes prindërve në Shqipëri: përdorimi i inteligjencës artificiale, veçanërisht i ChatGPT, për marrjen e recetave mjekësore për fëmijët. Mjekët pediatër raportojnë se numri i rasteve me komplikacione shëndetësore tek të miturit po rritet, pasi prindërit po ndjekin udhëzime të marra nga këto platforma, duke shmangur konsultën profesionale.
“Mund të them se kemi pasur shumë raste ku fëmijët vijnë me probleme të përkeqësuara, pasi janë trajtuar sipas recetave të marra nga ChatGPT. Nëna e pranon vetë se ka ndjekur udhëzimet e tij,” shprehet një mjek i familjes, duke e cilësuar këtë praktikë “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Sipas specialistëve, rreziku qëndron jo vetëm te receta, por mbi të gjitha te mungesa e diagnostikimit të saktë. Asnjë program inteligjence artificiale nuk mund të zëvendësojë ekzaminimin fizik të fëmijës, dëgjimin e mushkërive, matjen e parametrave jetësorë apo vlerësimin klinik profesional.
“ChatGPT nuk mund të shohë pacientin, nuk mund të dëgjojë mushkëritë, nuk mund të dallojë simptomat klinike. Diagnoza nuk është thjesht tekst. Ajo kërkon vlerësim të drejtpërdrejtë,” thekson mjeku pediatër.
Ekspertët bëjnë apel që në rastin e çdo sëmundjeje, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë, prindërit të kontaktojnë mjekun pediatër ose mjekun e familjes. Ata paralajmërojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale për të zëvendësuar mjekimin mund të marrë përmasa të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e fëmijëve.
