Nisin homazhet zyrtare për Fatos Nanon në Pallatin e Kongreseve
Në Pallatin e Kongreseve kanë nisur që në orët e para të mëngjesit homazhet zyrtare për ish-kryeministrin Fatos Nano, një nga figurat historike më të rëndësishme të Partisë Socialiste dhe të politikës shqiptare.
Ceremonia ka mbledhur familjarë, personalitete të jetës publike, drejtues të lartë të shtetit dhe qytetarë të shumtë, të cilët po i japin lamtumirën e fundit ish-kryeministrit që ka lënë gjurmë të thella në tranzicionin politik të vendit.
Në homazhe u shfaqën bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, djali Sokoli, si edhe ish-bashkëshortja Rexhina Nano, të cilat qëndruan pranë familjes në këtë moment zie. Prezenca e tyre, e rrallë në publik prej vitesh, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, duke reflektuar respekt dhe unitet familjar.
Homazhet kanë nisur në orën 08:30 dhe pritet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, ndërsa më pas do të mbahet ceremonia mortore shtetërore.
Fatos Nano u nda nga jeta më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të gjerë politike dhe publike, që shënoi disa dekada të rëndësishme të historisë së Shqipërisë së pas ‘90-ës.
