Përgjakje në Kretë: Tre të vdekur dhe 12 të plagosur nga përplasja mes dy familjeve në Heraklion

img 8019

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kretës mëngjesin e së shtunës, ku të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e një përplasjeje të armatosur në fshatin Vorizia të Heraklionit, në Greqi.

Sipas mediave greke, shkak i përgjakjes dyshohet të jetë një hakmarrje e vjetër mes dy familjeve, të cilat prej muajsh kanë qenë në konflikt të hapur.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të shumta policore, përplasja ka vazhduar për orë të tëra, ndërsa raportohet se në zonë janë qëlluar mbi 2,000 plumba.

Në mesin e viktimave janë dy gra dhe një burrë. Njëra prej grave mësohet se ka ndërruar jetë pas një ataku kardiak nga frika, ndërsa njëri nga burrat e vrarë është identifikuar si një nga autorët që hapi zjarr.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Qendrën Shëndetësore Moira dhe Qendrën Shëndetësore Agia Varvara, të cilat aktualisht po ruhen nga policia për të shmangur incidente të tjera të mundshme.

Banorët e zonës, të tmerruar nga përplasja, kanë ndihmuar vetë në transportimin e të plagosurve, duke përdorur edhe automjete bujqësore për t’i dërguar në spitale.

Autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë policor në të gjithë zonën për të kapur personat e përfshirë në ngjarje dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

img 8019

About The Author