Erion Veliaj del dot nga paraburgimi për të marrë pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese
Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pritet të dalë sot nga qelia e paraburgimit në Durrës për të marrë pjesë personalisht në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, që do të zhvillohet në orën 10:00.
Seanca do të shqyrtojë ankimin e Veliajt ndaj vendimit të qeverisë, e cila e shkarkoi nga posti i kryebashkiakut më 25 shtator 2025, duke u mbështetur në nenin 62 të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, me argumentin se ai nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj.
Gjykata Kushtetuese ka miratuar kërkesën e Veliajt për të qenë i pranishëm në seancë dhe i ka kërkuar Drejtorisë së Burgjeve dhe SPAK-ut të marrin masat e nevojshme për transportin dhe sigurinë e tij gjatë zhvillimit të procesit.
Qëndrimet e palëve
Erion Veliaj, përmes avokatëve të tij, ka kundërshtuar bazën ligjore të shkarkimit, duke argumentuar se neni 62 nuk mund të zbatohet për një kryebashkiak në kushtet kur mungesa në detyrë është “pamundësi objektive” për shkak të paraburgimit, dhe se vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencë të shqyrtojë raste të tilla që prekin zgjedhjet dhe funksionimin e pushtetit vendor.
Nga ana tjetër, qeveria ka theksuar se vendimi për shkarkimin është në përputhje me ligjin, pasi detyra e kryebashkiakut nuk mund të mbetet pezull për një periudhë kaq të gjatë, ndërsa kompetenca për shqyrtimin e ankesës sipas saj i përket gjykatave administrative.
