Rama prezanton identitetin digjital: kartat ID kalojnë në celular nga viti 2026
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga viti 2026, shqiptarët do të pajisen me identitetin e tyre digjital, duke zhvendosur kartat tradicionale të ID-së direkt në celular apo kompjuter.
Në podkastin “FLASIM”, Rama theksoi se ky sistem do të funksionojë si një portofol digjital shumëfunksional, i aksesueshëm drejtpërdrejt nga telefoni, duke e bërë më të thjeshtë dhe më të komod përdorimin e dokumenteve të identifikimit në jetën e përditshme.
“Kompania IdentiTek është angazhuar për këtë fazë të re, duke u siguruar që karta e identitetit të funksionojë pa probleme në formë digjitale,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se edhe Bashkimi Evropian po ecën në të njëjtin drejtim, duke vendosur vitin 2027 si afat për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të qytetarëve evropianë. Shqipëria, sipas Ramës, është gati për këtë ndryshim.
Kartat e reja të identitetit digjital janë prezantuar si një produkt i kompanisë IdentiTek, ndërsa testet përfundimtare janë në zhvillim, në mënyrë që çdo shqiptar të mund të pajiset me ID-në digjitale që nga viti 2026.
Ky projekt synon të modernizojë proceset administrative dhe të lehtësojë ndërveprimet e qytetarëve me shërbimet publike dhe private, duke përfshirë nënshkrimet elektronike dhe verifikimet online.
