Regjisori i “Godfather” mbetet pa para, shet orat e tij për të mos falimentuar

img 7477

Regjisori legjendar amerikan Francis Ford Coppola, autori i trilogjisë së famshme “Kumbari”, po përballet me një krizë të thellë financiare pas dështimit komercial dhe kritik të filmit të tij më të fundit, “Megalopolis”. Për të përballuar situatën, 86-vjeçari ka vendosur të nxjerrë në ankand koleksionin e tij të çmuar të orëve, një pasuri personale që përfshin disa nga modelet më të rralla në botë.

“Kam nevojë për para për të mos falimentuar,” ka deklaruar vetë Coppola për The New York Times, citon A2 CNN.

Sipas raportimeve, shtatë orë të rralla nga koleksioni i tij do të shiten më 6 dhjetor në një ankand të organizuar nga shtëpia prestigjioze Phillips. Pjesa më e veçantë e koleksionit është një orë e dizenjuar nga vetë Coppola në vitin 2014, në bashkëpunim me kompaninë zvicerane F.P. Journe – e njohur për krijime luksoze që vlerësohen shumë më lart se markat tradicionale si Rolex.

Modeli në fjalë, i quajtur FFC (me inicialet e regjisorit), ka një dizajn unik që ekspozon mekanizmat e brendshëm të orës. Në qendër ndodhet një dorë mekanike e veshur me dorezë, e cila lëviz gishtat për të treguar orën. Kjo orë u hodh në treg në vitin 2021 me një çmim rreth 1 milion dollarë, ndërsa një prototip i saj ishte shitur më parë për gati 5 milionë dollarë në një ankand bamirësie në Gjenevë, nën patronazhin e Princit Albert II të Monakos.

Coppola kishte investuar 120 milionë dollarë nga pasuria e tij personale për realizimin e Megalopolis – një projekt që ai e kishte ëndërruar për dekada. Për të siguruar fondet, ai madje shiti dy nga kantinat e tij të verës dhe shtoi edhe 20 milionë dollarë për marketingun. Megjithatë, filmi rezultoi në një dështim të rëndë, duke arkëtuar vetëm 14 milionë dollarë në tregun amerikan.

img 7476

Pavarësisht kësaj periudhe të vështirë, regjisori i madh nuk ka ndërmend të ndalet. Në muajt nëntor dhe dhjetor, Coppola pritet të nisë xhirimet në Kalabri (Itali) për projektin e tij eksperimental “Distant Vision”, i frymëzuar nga romani Buddenbrooks i Thomas Mann. Filmi do të rrëfejë historinë e tre brezave të një familjeje italo-amerikane, të përballur me ndryshimet e mëdha të epokës së pasluftës dhe të bumit ekonomik.

Projekt që fillimisht pritej të financohej nga fitimet e Megalopolis, “Distant Vision” duket se do të jetë përpjekja e radhës e një prej regjisorëve më të mëdhenj të historisë së kinemasë për të rikthyer lavdinë e tij artistike dhe ndoshta edhe financiare.

img 7477

About The Author