SPAK regjistron nën hetim zv.kryeministren Belinda Balluku për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”

img 7475

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, sipas burimeve të sigurta nga organi i akuzës.

Burimet bëjnë me dije se emri i Ballukut është regjistruar si person nën hetim, ndërsa ajo është thirrur të paraqitet të hënën në ambientet e SPAK-ut. Fletëthirrja mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi dhe i është dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në dokumentin zyrtar, zv.kryeministres i kërkohet të paraqitet e shoqëruar nga një avokat, çka sipas praktikës gjyqësore nënkupton se mund t’i komunikohet një akuzë penale. Kjo tregon se SPAK pritet të nisë ndjekje penale ndaj saj pa kërkuar masë sigurie, duke shmangur kështu edhe nevojën për autorizim nga Kuvendi.

Prokuroria e Posaçme deri tani nuk ka dhënë detaje zyrtare për hetimin, por burime pranë SPAK sqarojnë se ndaj Ballukut janë depozytuar disa kallëzime penale, përfshirë çështjen e tunelit të Llogarasë, ku vlera e kontratës me kompaninë fituese turke u rrit me mbi 50 milionë euro krahasuar me fondin fillestar.

Nuk dihet ende nëse znj. Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ajo do të vijojë të qëndrojë në detyrë si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, apo do të zgjedhë dorëheqjen për të përballuar hetimin pa mburojën politike të Partisë Socialiste.

SPAK është duke vijuar hetimet mbi disa procedura tenderimi të zhvilluara nga Ministria e Infrastrukturës gjatë periudhës së qeverisë “Rama 4”.

img 7475

About The Author