Grabitja në Luvër, “I pashë duke prerë xhamin, jemi recepsionistë jo policë
Hetimet për grabitjen e bujshme të bizhuterive me gurë të çmuar mbretërorë në Muzeun e Luvrit në Paris po vijojnë me intensitet, ndërsa dalin në dritë dëshmi të reja tronditëse nga dita e ngjarjes.
Një roje sigurie i muzeut ka rrëfyer për mediat franceze momentet dramatike kur grabitësit ndërmorën veprimin e tyre të guximshëm, që sipas autoriteteve kishte një vlerë të përafërt prej 88 milionë eurosh.
“Ne jemi recepsionistë, jo oficerë policie. Prioriteti ynë është siguria e njerëzve dhe objekteve,” tha roja në një intervistë për BFMTV, duke iu përgjigjur kritikave ndaj stafit të sigurisë për mosveprim gjatë grabitjes.
Sipas dëshmisë së tij, grabitja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit, në sallën ‘Apollo’, ku në atë moment ndodheshin mes 10 dhe 50 vizitorë. Roja tregoi se kishte zgjedhur të qëndronte pranë një daljeje emergjence për të vëzhguar situatën dhe për t’i përcjellë informacionet policisë.
“U fsheha pranë një daljeje emergjence për të parë vendin e ngjarjes dhe për t’i përcjellë informacion policisë. I pashë duke prerë xhamin. Brenda dhomës nuk dëgjohej asgjë, për shkak të zhurmës së fortë nga rrota prerëse,” tha ai.
Roja shtoi se grabitësit ishin të fokusuar vetëm tek vitrinat dhe nuk u morën me stafin apo vizitorët.
“Ata ishin të vendosur dhe nuk u shqetësuan fare për ne. Nuk do t’ju them se nuk kisha frikë, por nuk u ndjeva realisht i frikësuar,” u shpreh ai.
Grabitja, që zgjati vetëm pak minuta, ka tronditur Francën dhe botën e artit. Autoritetet franceze vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve, ndërsa mediat e huaja e kanë cilësuar këtë si një nga vjedhjet më të guximshme të dekadës.
