Bonusi i fundvitit për pensionistët, mbi 5 mijë lekë më shumë – përfitues mbi 515 mijë vetë
Pensionistët dhe kategoritë e tjera përfituese do të marrin këtë fundvit një shpërblim më të lartë se 5 mijë lekë, pasi qeveria ka trefishuar fondin për bonusin e fundvitit.
Sipas burimeve zyrtare, do të zbatohet e njëjta formulë si në vitin 2024:
- Pensionistët me pension deri në 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë shpërblim;
- Ndërsa ata me pension mbi 20 mijë lekë, do të përfitojnë 10 mijë lekë shtesë.
Në total, bonusi pritet t’u shpërndahet mbi 515 mijë përfituesve, ndërsa numri i përgjithshëm i pensionistëve në vend arrin në rreth 756 mijë.
Qeveria thekson se kjo masë ka për qëllim të lehtësojë barrën ekonomike të shtresave më vulnerabël dhe të krijojë “siguri në pritshmëritë e kësaj shtrese për mbështetje të vazhdueshme”.
Në afat më të gjatë, parashikohet që deri në vitin 2029 pensioni minimal të dyfishohet, duke u rritur nga rreth 10 mijë lekë aktualisht në të paktën 20 mijë lekë.
Po ashtu, pensioni mesatar pritet të dyfishohet nga 200 euro në 400 euro brenda katër viteve të ardhshme.
