Dy të rinj të vrarë në Manëz pas një konflikti për një kafe –ekspresi është i fikur në këtë orë

img 7376

Një ngjarje e rëndë me dy viktima ka tronditur orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, më 22 tetor, në zonën e Manzës në Durrës. Dy të rinj, Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, kanë mbetur të vrarë pas një konflikti që nisi për shkaqe banale brenda një lokali.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, në një lokal pranë një karburanti në Manëz. Konflikti fillimisht ka nisur mes njërit prej viktimave dhe kamarierit të lokalit, pasi ky i fundit i kishte thënë se nuk mund t’i përgatiste kafen, pasi makineria e ekspresit ishte fikur.

Në këtë moment, në debat është përfshirë edhe personi i shpallur në kërkim me inicialet D.P, i cili ndodhej në lokal bashkë me Aranit Kurtin. Ai mësohet se ka këmbëngulur që kamarieri të ndizte ekspresin, duke përdorur edhe fjalë fyese ndaj tij.

Ndërhyrja e Flori Paluçit, që ndodhej në tavolinë me kamarierin, ka ndezur më tej situatën. Sipas informacioneve nga grupi hetimor, pas debatit verbal ka ndodhur përplasja me armë zjarri.

Nga dinamika paraprake, dyshohet se i pari ka qëlluar Flori Paluçi, i cili ka vrarë Aranit Kurtin, ndërsa menjëherë më pas D.P ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.

Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar D.P dhe po zhvillon kontrolle intensive në zonë për kapjen e tij. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë dhe për të administruar provat që do të çojnë në dokumentimin ligjor të rastit.

img 7376

About The Author