Aksident në rrugën Burrel–Klos, dy vajza përfundojnë në spital
Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin nacional Burrel–Klos. Një automjet që udhëtonte nga Klosi në drejtim të Burrelit ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një kanal anësor.
Në mjet ndodheshin dy vajza, të cilat kanë mbetur të plagosura si pasojë e përplasjes. Të lënduarat janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Burrelit, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas burimeve nga spitali, gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe zjarrfikëses, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
