Vjedhje spektakolare në Muzeun e Luvrit: Hajdutët largohen me bizhuteri historike
SOIREE TELEROUTE TOUR EIFFEL
Paris, 19 tetor 2025 – Një vjedhje spektakolare ka tronditur sot Muzeun e Luvrit në Paris, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në botë. Muzeu ka njoftuar se do të qëndrojë i mbyllur gjatë gjithë ditës për “arsye të jashtëzakonshme”, pas grabitjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit.
Sipas mediave franceze, një grup hajdutësh ende të paidentifikuar, të armatosur me sharra elektrike, kanë hyrë në ambientet e muzeut dhe janë larguar me bizhuteri historike me vlerë të jashtëzakonshme.
Ministrja e Kulturës së Francës, Rachida Dati, e konfirmoi ngjarjen në platformën X (ish-Twitter), ku shkroi:
“Një grabitje ndodhi këtë mëngjes në hapjen e Muzeut të Luvrit.”
Policia franceze bëri të ditur se një ose disa persona kishin depërtuar në muze, por pa dhënë detaje për veprat ose objektet e vjedhura. Një burim policor i cituar nga AFP tha se hajdutët kanë mbërritur me skuterë, të pajisur me sharra të vogla elektrike, dhe kanë përdorur një ashensor mallrash për të arritur në sallën e synuar.
Sipas Le Parisien, grabitësit kanë hyrë nga fasada që shikon drejt lumit Senë, ku aktualisht po zhvillohen punime ndërtimi, duke përfituar nga siguria e reduktuar në atë zonë. Ata kanë përdorur ashensorin e mallrave për të hyrë drejtpërdrejt në Galerinë Apollo, një nga hapësirat më të njohura të muzeut, ku ruhen bizhuteritë e Napoleonit dhe Perandoreshës Eugénie. Pas thyerjes së disa dritareve, ata kanë marrë nëntë pjesë nga koleksioni historik.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Autoritetet e muzeut dhe policia franceze po punojnë për identifikimin e autorëve dhe rikuperimin e objekteve të vjedhura.
