Kurti: Shqipëria të kërkojë drejtësi në OKB dhe KIE për UÇK-në dhe jo në “Sheshin Skënderbeu” në Tiranë

img 7163

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se para se të protestojë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale, ai duhet të tregojë pendesë për përkrahjen që i kishte dhënë themelimit të saj në vitin 2015.

Në një reagim të bërë të mërkurën, LVV ka kujtuar vizitën e Ramës në Kosovë në atë kohë, kur – sipas saj – ai kishte ardhur me helikopter për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale.

“Reflektimi nuk është gabim, por shumë nga ata që sot dalin kundër Gjykatës Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për krijimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën,” thuhet në reagimin e LVV-së.

Ky qëndrim vjen në prag të protestës mbarëkombëtare të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), e cila do të mbahet më 17 nëntor në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë. Në protestë pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Vetëvendosje thekson se institucionet e Shqipërisë, si anëtare të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, OSBE-së, NATO-s dhe afër Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që çështjen e Gjykatës Speciale ta ngrenë në këto forume ndërkombëtare, “aty ku flitet dhe vendoset për drejtësi, jo në Tiranë”.

img 7163

About The Author