Italia godet rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës – në pranga “koka” e organizatës me lidhje me ‘Ndrangheta-n
Policia italiane ka arrestuar G.G., i konsideruar si udhëheqësi i një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Peruja drejt Italisë. Sipas autoriteteve, i ndaluari është kunati i R.B., një prej figurave më të njohura të mafies italiane, i lidhur ngushtë me organizatën kriminale ‘Ndrangheta.
Operacioni i gjerë policor ka çuar në arrestimin e 13 personave, ndërsa 3 të tjerë janë vendosur në arrest shtëpie. Hetimet, që kanë zgjatur më shumë se dy vjet, kanë zbuluar se grupi kriminal ka trafikuar rreth 655 kilogramë kokainë gjatë viteve 2020–2021, duke siguruar fitime që arrijnë në 18 milionë euro.
Sipas burimeve hetimore, paratë e përfituara nga trafiku janë pastruar përmes një sistemi të fshehtë bankar kinez, i përdorur për të maskuar gjurmët e transaksioneve të paligjshme.
G.G. dyshohet se siguronte lëndën narkotike nga Amerika e Jugut, përmes një trafikanti shqiptar të njohur me pseudonimet “Berlusconi” ose “Andreotti”.
Grupi kishte ngritur disa baza operative në jug të Milanos, duke përdorur restorante, bare dhe apartamente si pika takimi dhe depo për ruajtjen e drogës.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të kokainës që veprojnë në territorin italian, me lidhje të drejtpërdrejta me organizatat mafioze.
