Ursula von der Leyen mbërrin në Tiranë, takime me Begajn dhe Ramën — konferencë e përbashkët në orën 11:15
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nisi sot, më 13 tetor, vizitën e saj në Tiranë. Ajo u prit fillimisht nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndërsa më pas do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Në orën 11:15, është parashikuar të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp mes Von der Leyen dhe Ramës.
Vizita e saj në Shqipëri është pjesë e turit në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në fokus mbeten procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe avancimi i reformave. Që prej marrjes së detyrës si presidente e KE-së, Von der Leyen ka theksuar disa herë përkushtimin e saj ndaj zgjerimit të BE-së dhe integrimit të vendeve të rajonit.
Gjatë takimeve në Tiranë pritet të diskutohet edhe Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh i BE-së për Ballkanin Perëndimor, që mbulon periudhën 2024–2027 dhe synon nxitjen e zhvillimit ekonomik e afrimin me tregun e përbashkët evropian.
