Rama pret nesër në Tiranë Presidenten e Komisionit Europian — zbardhet axhenda e vizitës së Ursula von der Leyen

img 7014

Tiranë, 12 tetor 2025

Kryeministri Edi Rama do të presë nesër në Tiranë Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, i cili synon forcimin e marrëdhënieve mes rajonit dhe Bashkimit Europian.

Sipas njoftimeve zyrtare, ceremonia e mirëseardhjes do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku më pas do të zhvillohet takimi kokë më kokë mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes von der Leyen. Pas këtij takimi, është planifikuar një mbledhje dypalëshe mes dy delegacioneve.

Në përfundim të vizitës, pritet të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp, ku Rama dhe von der Leyen do të ndajnë detaje mbi diskutimet dhe marrëveshjet e mundshme të arritura gjatë takimit.

Vizita e Presidentes së Komisionit Europian zhvillohet në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili nis të hënën, me qëllim theksimin e mbështetjes së BE-së për procesin e integrimit europian të rajonit.

Një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024–2027, që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen për anëtarësim në BE.

Vizita e von der Leyen në Tiranë vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, që ka hapur zyrtarisht negociatat e anëtarësimit dhe po punon për përmbushjen e kapitujve të parë të procesit.

img 7014

About The Author