Ndalohen përkohësisht monopatinat elektrike në të gjithë vendin – rriten shqetësimet për sigurinë publike

img 6993

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka njoftuar sot ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në të gjithë vendin, pas shtimit të shqetësimeve për sigurinë publike dhe rritjes së numrit të aksidenteve që përfshijnë këto mjete.

Vendimi u mor pas një analize të detajuar të Policisë së Shtetit, e cila ka evidentuar një rritje të ndjeshme të aksidenteve, kryesisht në zonat urbane.

“Kemi marrë një sërë ankesash dhe raportimesh nga qytetarët rreth rrezikshmërisë që këto mjete përfaqësojnë, sidomos për të miturit apo të moshuarit që lëvizin në rrugë, por edhe për vetë përdoruesit e tyre. Të dhënat e Policisë së Shtetit mbështesin këtë problematikë në rritje,” – deklaroi Ministrja Koçiu.

img 6994

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përdorimi i monopatinave është shndërruar në rrezik të menjëhershëm për rendin dhe sigurinë publike. Vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 991 raste aksidentesh që përfshijnë këto mjete, mes tyre edhe me pasoja fatale.

Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka përgatitur një procedurë standarde ndëshkimi bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit, që parashikon ndalimin e përdorimit të monopatinave në rrugë urbane dhe trotuare, deri në bllokimin administrativ të mjeteve.

“Që nga dita e hënë, Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve dhe kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces,” – theksoi Proda.

Pas përfundimit të procesit rregullator, përdorimi i monopatinave do të lejohet vetëm për përdorim personal, jo për dhënie me qira apo veprimtari tregtare.

“Do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të përcaktojmë korsitë, rrugët dhe hapësirat e lejuara, moshën minimale për përdorim, si dhe pajisjet mbrojtëse të detyrueshme,” – shtoi Ministrja Koçiu.

Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka ndërmarrë masa të tilla. Franca, Italia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar bllokime të pjesshme apo të përhershme të monopatinave, për të rritur sigurinë rrugore.

Ky vendim është pjesë e paketës së re për forcimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e qarkullimit në mjediset urbane, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe uljen e numrit të aksidenteve.

img 6993

About The Author