Skandal/ Si i zhvati call centeri Shqiptar 1 milionë euro çiftit Gjerman

img 6890

Një kërkim i thjeshtë në Google me fjalët “mundësi investimi” u kthye në makth për çiftin gjerman Carina Christine dhe Christoph Breunig nga qyteti i Aschaffenburg, afër Frankfurtit.

Në qershor të vitit 2019, ata regjistruan të dhënat e tyre në një faqe investimesh të quajtur Globalix, duke menduar se po hynin në një platformë serioze financiare. Vetëm pak minuta më vonë, Christoph u kontaktua nga një “menaxher investimesh” i quajtur Adrian Ross, i cili i kërkoi të depozitonte fillimisht 250 dhe 750 euro për të nisur tregtimin.

Në javët që pasuan, “Ross” e bindi të investonte gjithnjë e më shumë, me premtime për fitime të larta. Në ekran, Christoph shihte grafikë që ngjiteshin, bonuse që shtoheshin dhe fitime që rriteshin — por gjithçka ishte e rreme.

Në total, ai transferoi 995 mijë euro, pa e ditur se pas pseudonimit “Adrian Ross” fshihej një operator i ri shqiptar që punonte në një call center mashtrues në Tiranë.

Një vit më vonë, kur Christoph tentoi të tërhiqte fondet, kuptoi se kishte rënë pre e një skeme të sofistikuar mashtrimi.

Hetimet e policisë gjermane zbuluan se pas platformës Globalix dhe disa të tjerave qëndronte një rrjet kriminal ndërkombëtar i njohur si “Blue Energy Call”, me qendra operative në Shqipëri, Serbi dhe Izrael.

Sipas autoriteteve bavareze, vetëm në Gjermani janë regjistruar mbi 100 viktima me dëme që arrijnë në miliona euro, ndërsa numri real i rasteve mund të jetë shumë më i madh.

Prokurori i lartë gjerman, Dr. Nino Goldbeck, tha për BIRN se “pavarësisht operacioneve të suksesshme gjatë viteve të fundit, situata mbetet kritike”.

Në Shqipëri, gjatë pesë viteve të fundit, call center-at mashtrues janë kthyer në një fenomen të përhapur, duke shfrytëzuar njohuritë e gjuhëve të huaja të të rinjve dhe mungesën e kontrollit të rreptë ligjor.

Edhe pse policia ka zhvilluar dhjetëra operacione, vetëm disa prej tyre kanë përfunduar me ndëshkime konkrete, kryesisht falë bashkëpunimit me SPAK, Europol dhe Eurojust.

img 6890

About The Author