35 mijë euro për person, zbulohet rrjeti që dërgonte shqiptarë drejt SHBA-ve dhe Kanadasë
Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq gjashtë persona, të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, pas zbulimit të një rrjeti që organizonte emigrimin e paligjshëm të shqiptarëve drejt SHBA-ve dhe Kanadasë kundrejt shumës prej 35 mijë eurosh për person.
Sipas njoftimit zyrtar, në qendër të këtij aktiviteti kriminal qëndron shtetasi H.M., i hetuar edhe më parë për vepra penale në fushën e kontrabandës së njerëzve. Hetimet tregojnë se ai kishte ndërtuar një skemë të mirëorganizuar, duke përdorur itinerare që nisnin nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës, për të vijuar drejt Karaibeve, nga ku personat pajiseshin me dokumente të falsifikuara për të hyrë në SHBA dhe Kanada.
Prokuroria bën me dije se H.M. ka siguruar për shtetas të ndryshëm pasaporta dhe karta identiteti false, të cilat përdoreshin për kalimin e kufijve ndërkombëtarë.
Në këtë aktivitet rezultojnë të përfshirë edhe bashkëshortja e tij, L.M., vëllai A.P., shoferi C.N., si edhe E.N., punonjëse e një agjencie turistike, së bashku me A.M. Sipas hetimeve, këta persona kanë luajtur role të ndryshme në prodhimin, sigurimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të falsifikuara, si dhe në organizimin logjistik të udhëtimeve.
Prokuroria e Tiranës thekson se hetimet kanë dokumentuar të gjithë zinxhirin e veprimeve kriminale, duke çuar në dërgimin e çështjes për gjykim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë vijimin e kontrolleve për goditjen e rrjeteve të emigracionit të paligjshëm.
