25-vjeçarja lufton për jetën, aparaturat “nuk punojnë”: denoncimi që trondit QSUT-në

img 0870

Rasti i influencieres shqiptare Dajana Kalo, vetëm 25 vjeçe, ka nxjerrë edhe një herë në pah problemet serioze të shërbimit shëndetësor publik në vend. E reja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale si pasojë e një Malformacioni Arteriovenoz (MAV), ndërsa aktualisht është e paralizuar në anën e djathtë të trupit.

Dajana Kalo është e shtruar prej datës 29 dhjetor në pavijonin e neurokirurgjisë në QSUT. Sipas familjarëve, pavarësisht urgjencës dhe përkeqësimit të gjendjes së saj, për javë të tëra nuk është kryer ndërhyrja e nevojshme mjekësore.

Mjekët kanë përcaktuar se për të vendosur për kirurgjinë, përfshirë edhe trombektominë, duhet më parë të kryhet ekzaminimi Arteriografi (DSA). Megjithëse në QSUT ndodhen dy pajisje për këtë procedurë, familjarët deklarojnë se pas më shumë se tre javësh nuk është gjetur asnjë zgjidhje: njëra pajisje pretendohet se është jashtë funksionit, ndërsa për tjetrën kërkohet miratimi i një mjeku që, sipas tyre, nuk ka marrë përgjegjësinë për ta autorizuar.

Sipas denoncimit publik, mjeku në fjalë ushtron aktivitet edhe në një spital privat, i cili është aktualisht e vetmja strukturë jo publike në vend që ofron këtë shërbim, me kosto që nisin nga 25 mijë euro. Kjo situatë ka ngritur dyshime për konflikt interesi, monopol dhe klientelizëm mes shëndetësisë publike dhe asaj private.

Në pamundësi për të përballuar kostot, familjarët e Dajanës kanë hapur një fushatë “GoFundMe” për të siguruar fondet e nevojshme për trajtimin e saj jashtë sistemit publik.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe aktivistë e cilësojnë atë si një tjetër dëshmi të dështimit të shëndetësisë publike në Shqipëri. Sipas tyre, përgjegjësi politike dhe institucionale mbajnë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, si dhe drejtuesit e QSUT, për një sistem që – sipas denoncimeve – lë pacientët të presin mes jetës dhe vdekjes.

Gjendja e 25-vjeçares mbetet kritike, ndërsa familjarët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme dhe përgjegjësi institucionale për vonesat që, sipas tyre, i kanë kushtuar asaj shëndetin dhe mund t’i kushtojnë jetën.

img 0870

About The Author